'PËRPARIMI I QËNDRUESHËM POR I BRISHTË DUHET TË MBROHET PËRMES DIALOGUT TË QËNDRUESHËM DHE NDËRTIMIT TË BESIMIT, PSSP TANIN I THA KËSHILLIT TË SIGURIMIT

15 Tet 2021

'PËRPARIMI I QËNDRUESHËM POR I BRISHTË DUHET TË MBROHET PËRMES DIALOGUT TË QËNDRUESHËM DHE NDËRTIMIT TË BESIMIT, PSSP TANIN I THA KËSHILLIT TË SIGURIMIT

15 tetor 2021 - Në raportimin e tij në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara më 15 tetor, Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB -së (PSSP) në Kosovë Zahir Tanin njohtoi anëtarët e Këshillit se përshkallëzimi i tensioneve kishte potencial të zhbënte “progresin e qëndrueshëm, por të brishtë” që ishte bërë për të rindërtuar besimin mes komuniteteve të Kosovës.

"Historia në rajon në mënyrë tragjike dhe të përsëritur ka treguar që incidentet në dukje të vogla, keqkuptimi i qëllimeve dhe gabimet mund të nxisin përshkallëzim jostabil të sigurisë që rrezikojnë jetën dhe nga të cilat askush nuk përfiton," i tha PSSP Tanin Këshillit.

Duke iu referuar tensioneve rreth një operacioni të fundit të policisë në veri të Kosovës dhe futjen e një regjimi të ri të targave, PSSP Tanin tha se një "ripërkushtim i përgjegjshëm për të dialoguar" ishte më imperativ se kurrë.

“Besimi vazhdon të jetë i pamjaftueshëm - besimi në negociatat me mirëbesim, besimi midis përfaqësuesve dhe zonave të tyre zgjedhore dhe besimi në institucionet që janë krijuar për të ofruar të dyja.”

PSSP Tanin tha se perspektivat për unitet dhe bashkëpunim më të madh ishin shfaqur nga bisedat e tij me udhëheqësit në Kosovë dhe në rajon gjatë vitit të kaluar.

"Qasjet praktike rajonale kanë filluar të evoluojnë, duke shfrytëzuar interesin e përbashkët në rritjen e prosperitetit si një nxitës për të bërë një rajon më stabil."

Megjithatë, ishte thelbësore që çfarëdo marrëveshje e arritur në nivelin politik, të përkthehej në mënyrë efektive në ndryshim për njerëzit në terren. Duke reflektuar lidhur me rolin e tij për më shumë se gjashtë vjet, PSSP Tanin vuri në dukje se "të keshë një letër në dorë nuk është e njëjtë sikur të keshë një zgjidhje në dorë.”

"Nëse shumica dërrmuese e njerëzve nga komunitete të ndryshme, duke përfshirë gratë dhe të rinjtë, nuk e ndiejnë veten të jenë pjesë ose të jenë të përfshirë në proceset e diskutimit dhe negociimit politik, nëse nuk ka mobilizim të shoqërisë, dhe nëse ata nuk janë të paktën të vetëdijshëm për atë që po diskutohet, atëherë të gjitha përpjekjet për të ndryshuar marrëdhëniet dhe për të zgjidhur tensionet afatgjata, janë të destinuara të mbeten të pakapshme.”

Me zgjedhjet komunale brenda dy ditësh, PSSP Tanin tha se njerëzit në Kosovë vazhdojnë të kërkojnë ndryshime pozitive, me pritjet që institucionet publike duhet të punojnë në favor të njerëzve, përfshirë promovimin e mundësive më të mëdha ekonomike dhe sociale, më shumë drejtësi, llogaridhënie dhe sundim të ligjit.

Shefi i UNMIK-ut gjithashtu vuri në dukje kontributet e bëra nga partnerët diplomatikë dhe Kombet e Bashkuara përmes COVAX në shpërndarjen e vaksinave COVID-19 tek njerëzit në Kosovë, si dhe materialeve testuese dhe pajisjeve mjekësore.

Ai gjithashtu përvijoi punën e përqendruar te njerëzit e ndërmarrë nga Misioni në drejtim të përparimit të mandatit të tij, për të rritur besimin brenda dhe anekënd shoqërisë, përfshirë promovimin e Agjendave të Grave dhe Rinisë, Paqes dhe Sigurisë; mbështetjen e arsimit shumëgjuhësor; financimin dhe mbështetjen e debateve televizive dhe platformave të reja të mediave; dhe ofrimin e ndihmës juridike dhe edukimit për qasje në drejtësi.

PSSP Tanin theksoi nevojën për vazhdim të një punë të tillë të ndërtimit të besimit dhe inkurajoi udhëheqësit nga të gjitha anët që të përmbahen nga përfshirja në retorikë përçarëse që nxit mosbesimin për përfitime të kufizuara dhe afatshkurta politike.

 

Lexoni deklaratën e plotë të PSSP Tanin këtu: 

English - Albanian - Serbian

 

Lexoni raportin e sekretarit te përgjithshëm për Kosovën këtu :

English - Albanian - Serbian